Të dielën do të luhen ndeshjet e javës së 14 në kampionatin e kategorisë së parë në futboll, ndeshje e cila është edhe e para për fazën e dytë të sezonit 2022 – 2023. Matjanët e nisin në shtëpi edhe këtë fazë ku do të presin në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ekipin e Lushnjës. Numri një i pankinës matjane Dorian Bubeqi tha se pavarësisht kohës së shkurtër që ka në drejtim të skuadrës, ai beson fort që djemtë do tja dalin të marrin tri pikë të plota nga kjo përballje. Bubeqi u shpreh se është punuar intensivisht gjatë gjithë javës në mënyrë që të dilnin në pah të gjitha problematikat dhe të rikuperoheshin brenda kësaj kohe për të qenë në formën më të mirë të mundshme në ndeshjen e së dielës përballë një kundërshtari me pozita aspak të mira në renditje. Aktualisht Lushnja ndodhet në vendin e 11 me 12 pikë gjithsej ndërsa Burreli në vendin e 10 me 14 pikë të siguruara në 13 ndeshje. Kategoria e parë kryesohet nga Dinamo me 27 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 25 pikë e Korabi 24 pikë.
Dritan Kurti