Burreli për jetë a vdekje, ditën e nesërme sfida kundër Vorës

Share


Kampionati i kategorisë së parë në futboll ka hyrë në javët e fundit. Kanë mbetur edhe pak ndeshje për tu luajtur, të cilat do të përcaktojnë edhe ekipet që do të ngjiten në kategorinë superior dhe ekipet të cilat do të zbresin në një kategori më poshtë. Burreli do të luajë nesër ndeshjen më vendimtare të këtij kampionati ku do të presë në shtëpi ekipin e Vorës. Matjanëve iu duhet patjetër fitorja pasi në të kundërt rrezikojnë rënien direkt në një kategori më poshtë. Megjithëse miqtë kanë pak shance për të realizuar qëndrimin në kategori, ata pritet të luftojnë fort me shpresën se në javët e fundit mund të ndodhë mrekullia. Ekipi i Burrelit nuk është paraqitur këtë të premte në stadiumin “Liri Ballabani” pasi ka vijuar stërvitjen në Tiranë. Djemtë e drejtuear nga tekniku Elvis Plori do të vijnë nesër, për të luajtur ndeshjen zyrtare në orën 16:00. I kontaktuar nga Mat Tv, trajneri Plori tha se ndeshja është vendimtare dhe se gjithçka varet nga ky takim. Ai bëri apel tifozëve matjan të mbushin shkallët e stadiumit për t’i dhënë forcë skuadrës në fushën e gjelbërt. Plori gjithmonë i ka dhënë rëndësi pranisë së tifozërisë të cilët e konsideron si një mbështetje shumë të fortë të skuadrës në fushën e lojës. Këtë kampionat, Burreli do ta mbyllë javën e ardhshme në ndeshjen në transfertë ndaj Veleçikut të Koplikut.

Read more

Local News