Që prej fillimit të kësaj jave ekipi i futbollit “Burreli” është pa drejtues të stafit teknik. Menjëherë pas largimit të ish trajnerit Gentjan Stojku, drejtues të klubit kanë nisur negociatat me trajner të tjerë të cilët aktualisht janë të paangazhuar.
Aktualisht nuk ka ndonjë emër konkret se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Burrelit pasi ende nuk është vendosur. Burime pranë Klubit thanë se do të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen e trajnerit pasi nuk duan të kenë problemet e dala deri tani me trajnerët që janë afruar pranë ekipit që nga grumbullimi i tij në muajin Gusht.
Gjithashtu mësohet se janë të paktën katër emra që po diskutohen për të qenë drejtues të ekipit, por me asnjërin prej tyre nuk është finalizuar një marrveshje. Drejtues të klubit thanë se deri në fundjavë mund të dalë emri i ri i trajnerit që do të drejtuojë skuadrën për në vazhdim. Matjanët kanë një favor në aspektin kohor pasi këtë fundjavë nuk do të ketë ndeshje pasi do të luajë ekipi i kombëtares dhe Kategoria e Parë e Superliga do të jenë pushim. Por matjanët duhet të stërviten për javën e ardhshme pasi do të presin në “Liri Ballabani” Korabin e Dibrës i cili aktualisht mban vendin e parë në grup me 9 pikë të grumbulluara në katër ndeshje të luajtura.