Vetëm një javë na ndan nga nisja zyrtarisht e kampionatit të futbollit të kategorisë së parë për sezonin 2023 – 2024, ndërsa matjanët vijojnë të testojnë veten në miqësore me ekipe të ndryshme. Pas ditëve me seanca të ngjeshura stërvitore, trajneri i ekipit matjan, Dorian Bubeqi ka testuar përgatitjen e lojtarëve gjatë këtyre ditëve të Gushtit.
Ashtu siç u shpreh të enjten e kësaj jave, Bubeqi ka aktivizuar lojtarët që do të përbëjnë formacionin kryesor të skuadrës, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe futbollistët e tjerë që do t’i ketë të gatshëm për të hyrë në fushën e gjelbërt në çdo ndeshje. Të premten e 18 Gushtit, skuadra matjane zhvilloi një ndeshje miqësore me ekipin e Kukësit, takim i cili është luajtur në Tiranë. Rezultati i kësaj ndeshje është vulosur që në minutën e 35 me Xhiastin, ndërsa skuadra e Kukësit nuk ka mundur të prekë rrjetën e portës së mbrojtur nga Çili.
Përveçse një rezultati pozitiv, tekniku Bubeqi ka parë edhe performancën e secilit nga futbollistët e aktivizuar, mangësitë e të cilave pritet të rikuperohen gjatë javës së ardhshme për të qenë të pagabueshëm në përballjen e javës së parë të 2 Shtatorit me ekipin e Bylisit.
Më parë gjatë kësaj faze përgaditore ekipi i Burrelit ka zhvilluar ndeshje miqësore edhe me Korabin e Dibrës ku ka fituar me rezultatin 3 me 2 dhe me Besëlidhjen e Lezhës që ka fituar me rezultatin 3 me 0.