Merkatoja e verës është mbyllur në kampin matjan pasi janë siguruar të gjithë futbollistët e nevojshëm që do të përbëjnë zyrtarisht skuadrën e Burrelit në këtë sezon. Matjanët kanë plotësuar tashmë edhe repartin e mbrojtjes pas nënshkrimit të kontratës me qendërmbrojtësin Ditmir Beci. Beci ka luajtur në sezonin e fundit me Tomorin ndërsa më parë ka qenë pjesë edhe e Vllaznisë së Shkodrës. Drejtues të klubit thanë se tashmë i gjithë kontigjenti është gati dhe se vetëm pret startimin e sezonit të ri të kategorisë së parë.
Por një tjetër lajm i mirë për sportdashësit matjan është rikthimi i ekipit për të qëndruar në Burrel. nga e mërkura, skuadra do të stërvitet këtu, duke i dhënë mundësinë edhe tifozëve që të ndjekin nga afër seancat stërvitore. Gjatë gjithë kësaj periudhe është punuar në përmirësimin e kushteve në ambjentet e brendshme dhe të jashtme të stadiumit “Liri Ballabani”. Po ashtu, ditët e fundit janë bërë gati ambjentet e ish konviktit të ri pranë gjimnazit “Pjetër Budi” ku dhe do të akomodohen lojtarët që vijnë nga qytetet e tjera dhe ato që vijnë nga jashtë.