Që nga e Hëna ekipet e futbollit në vendin tonë mund të rinisin stërvitjet e ndërprera për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Por matjanët nuk e kanë marrë me ngut për të mbledhur gjithë skuadrën që me datë 18 Maj. Burime pranë klubit të futbollit Burreli thanë se i gjithë ekipi do të mblidhet të hënën e ardhshme. Aktualisht stërvitjen e kanë nisur vetëm futbiollistët vendas dhe brazilianët që nuk janë larguar nga qyteti i Burrelit për shkak të pandemisë. Administratori i Klubit të Futbollit Burreli, Bajram Ballabani tha se gjithçka po bëhet gati për të ripritur pjesën tjetër të futbollistëve. Nga ana tjetër vijon puna për të bërë gati ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani” për të qenë gati në rinisjen e garës. Pastrimi i ambjenteve përreth dhe mirëmbajtja e fushës është bërë në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë dy muajve të pandemisë.