Ekipi i futbollit “Burreli” ka arritur ta mbyllë me fitore fazën e parë të kampionatit të kategorisë së Parë, në ndeshjen e luajtur këtë të shtunë në “Liri Ballabani”. Djemtë e drejtuar nga tekniku Klevis Hima arritën të marrin tri pikë të plota me vetëm një gol të shënuar në të paktën katër raste të pastra.

Autori i golit të vetëm të kësaj sfide është Farruku, i cili në minutën e 9, shfrytëzon bukur daljen e portierit mik dhe dërgon topin në rrjetë.

Ekipi matjan luajti me energji gjatë gjithë lojës së rregullt duke krijuar disa raste për të shënuar, por fati nuk ishte në anën e tij, pasi në të paktën 2 raste topi u ndal nga traversa.

Fierakët nuk arritën për asnjë moment të vendosin në vështirësi portën e mbrojtur nga Harizaj dhe mbrojtësit Dedgjonaj, Muriel etj.

Ndeshja dhuroi emocione dhe spektakël për tifozët që sfiduan të ftohtin dhe mbështetën skuadrën matjane të zemrës me ovacione gjatë gjithë kohës. Ndërkohë, kjo fitore e motivon ekipin matjan për të nisur pjesën e dytë të kampionatit me synime më të qarta për të qenë larg zonës së rrezikut. Tri pikët ndaj Apolonisë e mbajnë Burrelin me pikë të barabarta me Kastriotin e Krujës në vendin e 9-të. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Korabi – Bylis 2 me 1, Luzi Vogël – Kastrioti 3 me 1, Tomori – Vora 0 me 1 dhe Flamurtari – Lushnja 3 me 0.