Ekipi i Burrelit ka zhvilluar këtë të premte senacën e fundit stërvitore para përballjes së të shtunës ndaj Kastriotit të Krujës. Matjanët shkojnë në këtë ndeshje pas një barazimi të vështirë të mbajtur një javë më parë në shtëpinë e tyre kundër Korabit të Dibrës. Megjithatë, trajneri Alert Alcani ka intensifikuar seancat stërvitore gjatë kësaj jave për për të kaluar edhe më shumë kohë me skuadrën
të cilën ka më pak se dy javë që e njeh.
Ndeshja e nesërme pritet të jetë e vështirë për shkak se Kastrioti ka rezultate më të mira,deri tani, çka e tregojnë edhe rezultatet e këtyre javëve të këtij sezoni. Gjithsesi drejtues të stafit teknik thanë se kanë menduar edhe për këtë pjesë dhe se optimizmi në skuadër është i madh. Sipas Alcanit, ndeshja është vlerësuar në maksimum dhe se do të kërkohet rezultat pozitiv. Edhe në këtë ndeshje formacioni kyesor do të jetë i plotë e pa mungesa, kjo edhe për faktin se nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar apo që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë për të qëndruar një ndeshje pushim. Gjithsesi mbetet për tu parë nëse kësaj radhe matjanët do tja dalin mbanë të marrin pikë edhe jashtë fushës së tyre, apo do të vijojë historia e humbjeve të të gjitha ndeshjeve në transfertë.