Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, më në fund ekipi i futbollit “Burreli” ka gjetur fitoren. Në përbllajen e të shtunës matjanët fituan pastër ndaj dinamovitëve me rezultatin 3 me 0. Matjanët mund ta kishin hapur siparin e golave që në minutën e pestë me Mitrajn pasi gjendet i vetëm përballë portierit Spahija, por nuk tregohet i saktë. Megjithatë një minut më vonë është Kurbneshi i cili nga një distancë shumë e largët shënon golin e parë.
Miqtë guxojnë me Çelikun në minutën e 29, por topi ndalet nga gardiani i Burrelit, Bytyçi. Në minutën e 35 është sërisht Mitraj që mund të shënonte por sërisht pafat për të. Pjesa e parë mbyllet me këto episode.
Edhe pjesën e dytë matjanët e nisin në ofensivë. Është Melani që në minutën e 48 shënon golin e dytë.
Matjanët nuk ndalen me kaq pasi vetëm 3 minuta më vonë, pikërisht në të 51-tën shënojnë golin e tretë dhe të fundit të takimit. Këtë herë është Gjonaj i cili gjuan fort në ballore, ndërsa topi ndalet direkt në rrjetë. Entuziazmi ishte i madh saqë autori i golit hoqi bluzën për të cilën u ndëshkua me të verdhë.
Miqtë nuk mund të bënin asgjë me gjithë minutat e mbetura ndërsa vendasit tentojnë edhe në minutën e fundit me Mitrajn por topi ndalet nga Spahija. Trajneri i portierëve të Burrelit, Kastriot Rama tha se djemtë zbatuan udhëzimet. Ai falenderoi tifozërinë për mbështetjen e madhe dhe qytetare që i dha skuadrës nga shkallët e stadiumit.
Trajneri i Dinamos Igli Allmuça refuzoi ta komentojë ndeshjen për mediat.