Teksa në segmentin rrugor prej 10 kilometrash, Herebel – Peshkopi Autoriteti Rrugor Shqiptar po investon 10 milion euro për ta bërë rrugën nga fillimi, në aksin tjetër nga Burreli deri në Skuraj nuk ka ende asnjë dritë jeshile për t’iu nënshtruar një rehabilitimi të plotë.

Segmenti në fjalë i rrugës nacionale është degdisur në gjendjen më të keqe të mundshme dhe i vetmi justifikim i ARRSH deri tani është ai i mirëmbajtjes.

Ndërkohë që gjendja faktike në terren e kësaj rruge është kjo që shihet në pamje.

Gropat janë të pranishme të paktën në 22 kilometrat e kësaj rruge nga Ura e Ulzës deri në hyrje të qytetit të Burrelit.

Në disa pika ato mbushen me zhavor, e të tjera mbushen me asfalt, por ka ende gropa të pranishme me të cilat të gjithë përdoruesit e rrugës që kalojnë në këtë aks, perballen çdo ditë.

Degradimi i këtij segmenti kombëtar shkon edhe më tej me veprat e artit në rrezik shembje, apo hapsirat anësore të rrugës ku janë hapur kanale të mëdha.