Aksi rrugor Burrel – Rrëshen, me një gjatësi 25.8 kilometrash, është lënë thuajse totalisht në mëshirë të fatit. Gjendja e rrugës është degraduar si mos më keq, ndërsa kalimi në të është i vështirë edhe për automjetet e larta. I gjithë aksi është problematik që nga Ura e Matit deri në Rrëshen. Siç duket nga pamjet, gropat e thella pengojnë qarkullimin normal edhe të automjeteve tonazhit të rëndë.
Drejtuesit e automjeteve dhe banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge thonë se gjendja vazhdon të jetë e tillë edhe pse rruga tashmë prej disa muajsh e ka një mirëmbajtës. Sipas tyre, firma e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen me performancë të këtij aksi rrugor nuk duket asgjëkundi dhe se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje të mirëfilltë në të. Përdoruesit e aksit rrugor Burrel – Rrëshen, kërkojnë që Autoriteti rrugor Shqiptar t’i kërkojë llogari firmës që të bëjë detyrën e saj.
Aksi rrugor Burrel – Rrëshen është pjesë e kontratës së tre akseve, Ura e Ulzës – Ulëz, Qaf Buall – Krastë me total 48.8 kilometra dhe ka një fond prej 1.6 milion euro për katër vite të mirëmbajtjen me performancë.