Që prej orës 17:00 të së Premtes deri në orën 5 të mëngjesit të kësaj të hëne, ishin pezulluar të gjitha lëvizjet e qytetarëve. Dyqanet e ushqimoreve, tregjet e frutaperimeve, farmacitë e çdo gjë ishte e mbyllur. Ndërkohë të shtunë e të dielë, vetëm pensionistët dhe nënat me fëmijë janë lejuar të dalin nga ora 8 deri në orën 11 të paradites, vetëm për ajrosje. Por pas rreth 60 orësh karantinë, qytetarët janë dyndur në rrugët e qytetit të Burrelit paraditen e kësaj të hëna. Ashtu siç ka ndodhur pas çdo fundjave të kaluar, edhe sot qyteti gumëzhinte nga lëvizjet e njerëzve dhe automjeteve. Qytetarët nxituan për të bërë blerjet e nevojshme pasi i kishin harxhuar gjatë fundjavës. Po ashtu një tjetër faktor ishte edhe lejimin i disa bizneseve për të nisur aktivitetin e tyre pas më shumë se një muaji që ishin mbyllur. Të favorizuar edhe nga temperaturat e larta, ata qëndruan deri rreth orës 13:00, e më pas pothuajse çdo rrugë u zbraz. Megjithëse Mati vijon ende të mos ketë asnjë rast zyrtarë të prekur nga Covid-19, apeli i institucioneve nuk ka ndryshuar. Ata kërkojnë zbatimin e masave pasi vetëm në këtë mënyrë mund të pengohet përhapja e koronavirusit.