Dhjetra metalurgë të uzinës së Ferrokromit në Komsi të Matit zhvilluan këtë të martë një protestë ndaj kompanisë turke “Yildirim Holding Group”, e cila prej disa muajsh ka përgjysmuar ditët e punës për punëtorët. Metalurgët thonë se kjo kompani, që menaxhon uzinën e Ferrokromit, ka shkelur kontratën dhe se i ka diskriminuar pasi përgjysmimi i rrogës është bërë vetëm për ta. Sipas metalurgëve aktualisht kompania turke i paguan vetëm për 11 ditë në muaj me gjysmë page, ndërsa 11 ditë të tjera duhet të rrijnë pushim. Metalurgët shprehen se nuk i pranojnë këto kushte pasi janë në shkelje të kontratës dhe se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në rikthimin e rrogës së plotë.
Në një reagim për mediat, kompania turke e Ferrokromit, Burrel, “Yildirim Holding Group”, tha se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e mosgjetjes së tregut të shitjes dhe se me rikthimin e plotë, kushtet do të rikthehen si më parë. Po ashtu, sipas kompanisë punëtorët do punojnë 11 ditë dhe do të paguhen me pagë të plotë. Ndërsa për 11 ditët e tjera, pavarësisht që nuk do punojnë do paguhen me 50% të pagës së plotë. Pra në fund të muajit do marrin 75% të pagës.