Një sasi lënde eksplozive është konstatuar mëngjesin e së enjtes në trotuar, në afërsi të një biznesi bar-kafe, në lagjen “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit.
Lënda plasëse në një nga lulishtet e kësaj lagjeje është konstatuar nga vetë pronari i biznesit, i cili ka njoftuar policinë. Blutë e komisariatit të Matit kanë bërë menjëherë rrethimin e vendit të ngjarjes.
Nga Tirana mbërriti Njësia Antieksploziv e cila bëri të mundur largimin e lëndës eksplozive që kishte mbetur e pashpërthyer. Efektivët e anti-eksplozivit arritën ta largojnë lëndën plasëse pa qenë nevoja t’i bëjnë shpërthim të kontrolluar.
Ndërkohë grupi hetimor nga policia e shtetit dhe prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër kanë nisur hetimet për të zbuluar autorin e vendosjes së lëndës plasëse. Pritet që oficerët e policisë gjyqësore të bëjnë kontrollin e kamerave që gjenden në zonën përreth për të rënë në gjurmët e autorit që vendosi lëndën plasëse pranë këtij biznesi në Burrel, që fatmirësisht nuk ka arritur të shpërthejë për të shkaktuar dëme në njerëz e materiale.