Aksidenti i ndodhur të martën e 2 Qershorit ku një 25 vjeçare ra nga ura njëkalimëshe në vendin e quajtur “Kumia e tullave” në fshatin Mallunxë, pjesë e rrugës nacionale Burrel – Klos, nuk ka sjellë ende zgjidhjen e këtij problemi. Autoriteti Rrugor Shqiptar në varësi të të cilit është ky aks, nuk ka ndërhyrë që banorëve tju mundësohet kalimi i sigurtë nga njëra anë e urës në tjetrën. Banorët thonë jashtë kameras se deri tani vetëm sa është liruar fushëpamja e urës, e kjo është bërë me ndërhyrjen e drejtuesve të Bashkisë së Matit. Ata i bëjnë apel ARRSH dhe firmës mirëmbajtëse të rrugës Burrel – Klos të ndërtojë anash urës prej betoni një urë metalike në mënyrë që të përdoret nga banorët. Urat e ngushta në këtë aks rrugor janë problem i vazhdueshëm për banorët. Më problem është kur mbi urë kalojnë mjete të tonazhit të rëndë të cilat zënë pothuajse gjithë rrugën. Në fshatrat Mallunxë e Shoshaj janë tre ura të tilla problematike, ku banorët duhet të kalojnë në to njëkohësisht me makinat.