Prej tre dekadash mungon uji vaditës në fshatin Kokërdhok, Njësia Fushë Bulqizë, të Bashkisë Bulqizë. Rifat Shehu, banor i këtij fshati shprehet se vetëm premtime boshe kanë bërë në këto tre dekada pushtetarët e të gjitha kahjeve politike. Sipas Shehut, tokat kanë mbetur djerrë nga mungesa e sistemit vaditës, që dikur furnizohej nga zalli i Bulqizës. Mungesa e këtij sistemi vaditës vetëm sa i ka torturuar banorët e këtij fshati për të siguruar në mënyrat nga të ndryshme për të mbajtur gjallë bimësinë e mbjellë.
Sipas banorit të fshatit Kokërdhok, Rifat Shehu, në Bashkinë Bulqizë sistemi vaditës nuk është funksional në mbi 50 % fshatrave të kësaj Bashkie. Si të mos mjaftonte ky fenomen, Shehu thotë se tashmë në fshatrat e Bulqizës mungon edhe krahu i punës, pasi rinia është larguar nga mungesa e investimeve jetike, si uji vaditës, uji i pijshëm dhe infrastruktura rrugore.