Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në Bulqizë. Një automjet që vinte nga Qafa e Buallit në drejtim të Peshkopisë është përplasur me urën që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës.
Përplasja ka qenë shumë e fortë për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën lëvizte automjeti.
Kanë qenë kalimtarët e rastit që i kanë ardhur në ndihmë fillimisht drejtuesit të mjetit, i cili dyshohet se kishte humbur ndjenjat nga përplasja e fortë. Ai u dërgua në spitalin e Bulqizës por për shkak të plagëve të marra është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, ka identifikuar drejtuesin e mjetit, shtetasin S.T., 26 vjeç, të cilin e ka proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Ndërkohë, ende nuk dihen rrethanat e këtij aksidenti ndërsa kanë nisur hetimet për rastin në fjalë.
Burimet tona bëjnë me dije se këtë të mërkurë një tjetër aksident është regjistruar në Peshkopi, ku është plagosur drejtuesi i mjetit, një 23-vjeçar dhe pasagjeri.