Minatorët e Bulqizës do të kenë tashmë një mbështetje të re të tyren për të kërkuar të drejtat që ju takojnë. Në qendrë të qytetit të minatorëve u bë publike sindikata më e re në mbështetje të tyre, ajo e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e themeluar nga disa të rinj.
Dhjetra minator ishin pjesmarrës në ceremoninë e prezantimit publik të kësaj sindikata e cila tashmë është e regjistruar edhe në gjykatë e njihet ligjërisht. Minatorët që morën fjalën në këtë ceremoni, shpërthyen në akuza të forta ndaj sindikatave të vjetra që sipas tyre, jo vetëm nuk kanë mbrojtur interesat e minatorëve por janë bërë palë me pronarët e minjerës së Bulqizës dhe politikën. Ata u shprehën se kishin frikë të kërkonin të drejtat e tyre pasi jo vetëm nuk mbroheshin, por largoheshin direkt nga puna.
Ndërkohë kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi tha se tashmë minatorët e Bulqizës do të kenë mbështetetjen e sindikatës e cila nuk do të funksionojë si sindikatat e vjetra, por në konsultë me secilin prej tyre.
Në aktivitetin promovues të kësaj sindikate, dhjetra minator të Bulqizës nënshkruan anëtarësinë e tyre.