Drejtoria e Policisë Dibër
Vijon puna për parandalimin, evidendimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vihen në pranga 3 shtetas.
Në Bulqizë goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë autori.
Sekuestrohet një armë gjahu dhe 2 telefona celularë.
Arrestohen dhe 2 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, kapjen e personave në kërkim apo të atyre që mbajnë apo qarkullojnë me armë zjarri pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Dibër, si rezultat i kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në një zonë pyjore në Fushë-Bulqizë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 19 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se është autori i kultivimit të disa bimëve narkotike në vendin e quajtur ‘Lugu i Menës’.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të vendit të ngjarjes u gjet e fshehur dhe u sekuestrua një armë gjahu që 19-vjeçari e posedonte pa leje dhe 2 telefona celularë.
—
Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. N, 24 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit M. I., një shumë vlerash monetare.
__
Nga shërbimet e Policisë Rrugore u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në Dibër, pasi duke drejtuar motomjetin e tij pa targa dhe pa leje drejtimi, është përplasur me një automjet dhe si pasojë ka dalë nga rruga duke aksidentuar dhe një këmbësorë.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.