Fshati Kodra e Danit, në njësinë Fushë Bulqizë, Bashkia Bulqizë, prej 3 dekadash vuan mungesën e ujit vaditës. Edhe pse ky fshat shtrihet poshtë gurrave malore, tokat e tij bujqësore mbeten në të thatë për ujë vaditës. Shkak për këtë është bërë një konflikt mes dy fshatrave fqinje, për veprën e marrjes, ku banorët e fshatit Dushaj pretendojnë se u përket atyre. Por për banorin e fshatit Kodra e Danit, Petrit Alla, shkaku i vërtetë është hezitimi i Bashkisë Bulqizë, që iu deshën 30 vite për të ndërhyrë për gjetjen e një zgjidhjeje për sistemin vaditës. Për Allën, edhe investimi i fundëm i Bashkisë Bulqizë, duke vendosur një tubacion me dimension të vogël, është qesharak për vaditjen e të mbjellave dhe frutoreve në fshatin Kodra e Danit.
Problematika e vaditjes nga mosmenaxhimi i mirë i pushetit vendor dhe kryetarëve të fshatrave është një shqetësim jo vetëm për fshatin Kodra e Danit, në Bashkinë Bulqizë, por edhe për një sërë fshatrash në qarkun Dibër.