Dhjetra banorë të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku në rendin e ditës ishte edhe një pikë për heqje të një sipërfaqeje nga fondi pyjor e kollusor për t’i hapur rrugë ndërtimit të një Hidrocentrali “Shytaj”. Banorët kërkuan nga këshilltarët e pranishëm të mos e miratojnë kërkesën pasi marrja e atij uji për ndërtimin e HEC-it do të dëmtonte gjithë zonën, ku sipas tyre kthehet në e pabanueshme. Megjithë shpjegimet e dhëna nga këshilltarët që ata ishin të detyruar ta shqyrtonin kërkesën dhe se vendimi i tyre do të bazohej në interesat e qytetarëve, banorët kundërshtuan.
Mbledhja nuk u zhvilluar për mungesë të korumit të nevojshëm pasi kishin munguar më shumë se gjysma e këshilltarëve bashkiak. Kjo nuk është hera e parë që këta banorë nuk lejojnë të preken pasuritë e tyre natyrore. Pak javë më parë ata kundërshtuan edhe dy leje të tjera për HEC-e ndërsa vitin e kaluar, ata penguan një firmë private të shfrytëzonte msivin pyjor “Sheshe Bulqizë” për lëndë drusore. Në këtë rezistencë ishin gratë të cilat qëndruan me ditë e net në pyll, duke penguar firmën të shkonte në destinacionin e saj.