Tre zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës kanë rënë në prangat e policisë së Dibrës këtë të enjte nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Tre të arrestuarit janë Luan Mjeshtri, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Ostren, Arlin Limani, me detyrë specialist i shërbimit social, në Njësinë Administrative Ostren, Fitim Balla, me detyrë sekretar i Këshillit Bashkiak, në Bashkinë Bulqizë. Sipas policisë këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumente të Gjendjes Civile, për të pajisur qytetarë të ndryshëm, me vërtetime se banonin në njësinë administrative Ostren, me qëllim regjistrimin në shoqatën “Golloborda” dhe përfitimin e pasaportave bullgare. Tre të arrestuarit akuzohen, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vetëm pak orë pas arrestimit të tre zyrtarëve të Bashkisë Bulqizë, është mbledhur urgjent këshilli bashkiak. Duke qenë se një nga të arrestuarit, Fitim Balla, ishte sekretari i këtij këshilli, është vendosur shkarkimi i tij nga detyra. Këshilli më pas emëroi përkohësisht një zëvendësues të tij deri në zgjedhjen e sekretarit të ri.
Ndërkohë, këshilltarët e djathtë i kërkuan këshillit bashkiak që të dalë me një kërkesë zyrtare ndaj Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryebashkiaken Festime Mjeshtri me arsyetimin e shpërdorimit të detyrës në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit, pasi Luan Mjeshtri rezulton të jetë vëllai i saj. Por ky propozim nuk gjeti miratimin e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Ndërkohë, mësohet se pas arrestimit, kryetarja e Bashkisë Bulqizë ka bërë shkarkimin nga detyrat funksionare në Njësinë Administrative Ostren për Luan Mjeshtrin dhe Arlin Limanin.