Një pjesë e grave dhe vajzave të moshës nga 15 – 65 vjeç në bashkinë e Bulqizës janë përballur me dhunë nga partnerët, apo ngacmime seksuale si dhe përndjekja. Për të dhënë mesazhe sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave e vajzave bashkia Bulqizë, me pjesmarrje të fëmijëve, prindërve, qytetarëve etj, zhvilloi një aktivitet në qendër të qytetit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte sensibilizimi për parandalimin e këtij fenomeni shqetësues. Kryetarja e Bashkisë Bulqizë Festime Mjeshtri tha se të gjithë bashkë duhet luftuar ndaj këtij fenomeni shoqëror dhe rastet të denoncohen menjëherë pranë organeve të drejtësisë në mënyrë që çdo abuzues të përballet me ligjin. Gjithashtu, kryebashkiakja Mjeshtri tha se Bashkia ofron mbështetjen ndaj të dhunuarve, ndaj duhet kërkuar ndihma sa më parë nga ana e tyre.
Në Bashkinë e Bulqizës janë rreth 16 raste të dhunës të deklaruara përgjatë këtij viti, ku ndër to 9 të dhunuara janë me urdhër mbrojtje.