Qytetarët e Bulqizës po bëhen gati për të pritur stinën e dimrit. Për shkak se temperaturat në këtë qytet janë shumë të ulta gjatë dimrit, mënyra më e mirë për t’i përballuar ato është ngrohja me dru zjarri.

Edhe pse është ende herët për ta përdorur lëndën drusore, qytetarët janë dyndur për t’i siguruar në formë e mënyra të ndryshme.

Kjo ka bërë që të gjitha hapsirat e lagjeve të qytetit të minatorëve të jenë mbushur me dru zjarri, të cilat kanë zënë hapsirat publike.

Në fakt fenomeni është i tillë prej vitesh në këtë qytet, pasi vetë qytetarët e shohin lëndën drusore si alternativën më të mirë dhe më të lirë për t’u ngrohur gjatë dimrit.

Jashtë kameras qytetarët ngrejnë dy probleme, i pari është ai i zaptimit të hapsirave publike nga drutë e zjarrit dhe i dyti është ai i çmimit të lartë të tyre.

Ata kërkojnë nga Bashkia e Bulqizës që të ndërhyjë për t’i zgjidhur këto probleme, si përcaktimin e vendeve për vendosjen e druve të zjarrit nga qytetarët ashtu edhe për të siguruar drutë e zjarrit me çmim më të lirë, pasi shumica e qytetarëve po i blejnë në treg të zi.