Braktisja e fshatrave është kthyer në një gjë normale në vendin tonë, pasi thuajse e gjithë rinia është larguar. Valës së largimeve nuk i ka shpëtuar as fshati Viçisht i Poshtëm në Njësinë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës. Pjesa më e madhe e banesave në këtë fshat janë bosh, ndërsa nuk sheh asnjë banor rrugës teksa kalon përmes tij. Thuajse në të njëjtën situatë ndodhet edhe fshati Çerenec i Sipërm. Rinia këtu është larguar thuajse e gjitha, ndërsa ka mbetur vetëm mosha e tretë. Gani Lica tregon se dikur ky fshat ishte shumë i populluar dhe të gjithë banorët punonin tokat bujqësore. Por me kalimin e viteve dhe mungesën e punës për të siguruar të ardhura, ata u larguan. Plaga më e rëndë sipas tij është largimi i rinisë, që e ka kthyer fshatin thuajse në të shkretë.
Muis Xheka është një tjetër banor i fshatit Çerenec i Sipërm. Edhe Muisi thotë se shkak i largimit masiv ka qenë mungesa e punës dhe shpresa për një të ardhme më të mirë.
Shpresa për rikthimin e të larguarve është venitur pasi ata e kanë ndërtuar jetën tashmë në vendet ku kanë emigruar prej shumë vitesh.