Një 25-vjeçar nga Shkodra i cili ishte në kërkim nga policia për kultivimin e bimëve narkotike është arrestuar në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bllatë të Dibrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e paligjshmërive në kufi, ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim apo të atyre që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kalimi, në mënyrë të parregullt, kanë kapur në afërsi të piramidës 15, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin, shtetasin A. Rr, 25 vjeç, banues në Shkodër.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Shkodër.
Në momentin e arrestimit, 25-vjeçari nga Shkodra, i cili më pas ka rezultuar se është i shpallur në kërkim, ka qenë i vetëm. Ndërkohë blutë e dibrës po hetojnë nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë që mund t’i kenë dhënë ndihmë për të dalë në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit të gjelbër.