Shërbimi Shëndetësor Parësor po përballet me vështirësi të shumta. Që nga mungesa e personelit e deri tek godinat e amortizuara, shumë fshatra janë thuajse pa këtë shërbim. Fakti se mungojnë infermierët apo mjekët, institucionet ju kanë ngarkuar shumë fshatra një punonjësi, duke bërë që shërbimi të mos jetë aty ku duhet. Kështu, në fshatin Bllatë e Poshtme në Maqellarë të Dibrës, banorët thonë se prej të paktën katër vitesh godina ambulatore është jashtë funksionit. Objekti nuk hapet pasi nuk ka asnjë kusht që plotëson për të marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor. Ata shprehen se prej katër vitesh udhëtojnë deri në Maqellarë për të bërë një gjilpërë. Godina është pa energji elektrike dhe ujë, duke mos plotësuar kushtet më minimale për të marrë shërbim shëndetësor.

  Nga ana tjetër, banorët kërkojnë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për të rikthyer shërbimin shëndetësor në fshatin e tyre ashtu siç ka qenë katër vite më parë.