Mungesa e ujit të pijshëm, atij vaditës dhe shërbimi i grumbullimit e tërheqjes së mbeturinave, janë disa nga problemet me të cilat përballen çdo ditë banorët e mbetur ende në fshatin Bllacë të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës. Banorët thonë se këto janë disa nga shkaqet për të cilat janë larguar shumë banorë të tjerë. Ata thonë se në këto tre dekada kanë marrë vetëm premtime boshe nga pushtetarët dhe se askush nuk ka bërë aq sa duhet për fshatin Bllacë, ndonëse ky fshat ka mundësi të madhe zhvillimi si në bujqësi ashtu edhe në Turizëm.

Dikur në fshatin Bllacë jetonin mbi 150 familje, ndërsa sot kanë mbetur afro 30. Por edhe ato që kanë mbetur janë moshë e tretë pasi e gjithë rinia është larguar në emigrim. Banorët kanë humbur shpresat se në fshatin e tyre do të rikthehet gjallëria e jetës si dikur.

Numri i familjeve në fshatin Bllacë ka rënë në atë të viteve 1900, ku kishte 30 familje, me një popullsi prej 480 banorësh, me të vetmin ndryshim se sot kanë mbetur vetëm të moshuar.