Berisha thirrje për mobilizim mbarëkombëtar në protestën e Tiranës
Ish-kryeministri dhe figura kryesore e Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ka lëshuar një thirrje të fortë për pjesëmarrje masive në protestën e organizuar në Tiranë.
Berisha u ka kërkuar demokratëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen dhe suksesin e kësaj lëvizjeje qytetare.
Në fjalën e tij, zoti Berisha vlerësoi protestën qytetare që po zhvillohet në bulevardin e Tiranës, e cila ka mbushur tashmë 49 ditë. Ai e cilësoi atë një lëvizje thelbësore dhe akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për ushtrimin e presioneve të shumta ndaj pjesëmarrësve.
“Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Edi Ramës dhe falangave të tij të krimit ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se kjo protestë paqësore, e iniciuar nga të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë, ka vijuar me forcë dhe ka marrë mbështetje të rëndësishme edhe në arenën ndërkombëtare.
“Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme për këtë lëvizje, për këtë protestë të paprecedent që nga vitet ’90 në historinë e Shqipërisë, ftoj çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj”, deklaroi Berisha, duke nënvizuar rëndësinë e mobilizimit të gjerë qytetar.