Berisha: Raporti i BE-së Godet Qeverinë Rama, Çështja Balluku Dëmton Besueshmërinë Ndërkombëtare
Berisha: Raporti i BE-së Godet Qeverinë Rama, Çështja Balluku Dëmton Besueshmërinë Ndërkombëtare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot raportin e Komisionit Europian për shtetin ligjor, mediat e lira dhe drejtësinë, duke theksuar se ai përmban kritika të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës. Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha pretendon se çështja e Lubi Ballukut ka shkaktuar humbjen e besueshmërisë dhe mbështetjes së Kryeministrit në arenën ndërkombëtare.
“Mbrojtjen që ai i bëri korrupsionit të Lubi Ballukut me emër, sulmet e paprincipta ndaj organeve të drejtësisë nga Edi Rama, korrupsionin e shfrenuar të policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera. Lubi Balluku është bërë tashmë çështje jo vetëm e shqiptarëve, por çështje e BE”, tha Berisha, duke theksuar impaktin ndërkombëtar të k kësaj çështjeje.
Lideri i opozitës nuk la pa sulmuar dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK), duke e cilësuar atë si një institucion nën kontrollin e kreut të qeverisë. “Të nderuar zotërinj, ai SPAK-un e ka shtruar në një seksion, në një organizatë të Partisë Socialiste”, u shpreh lideri demokrat.
Ndërkohë, qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj deklaratave të ministres serbe për pastrimin etnik të Kosovës, sipas Berishës, dëshmon qartë mbështetjen e Ramës ndaj Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. “Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit”, deklaroi Berisha, duke theksuar lidhjet e forta mes dy liderëve.
Në lidhje me protestat qytetare për çështjen e Zvërnecit, Berisha u bëri thirrje simpatizantëve të Partisë Demokratike që t'i bashkohen revoltës civile, duke i dhënë mbështetje lëvizjes qytetare.