Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot në Dibër Premtim Kryemadhin, kandidatin për kryetar bashkie për koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Berisha i konsideroi zgjedhjet e 6 marsit si përballjen e madhe me të shkuarën dhe shtetin e bazuar në mafie e drogë.
“Jam sot për të paraqitur për qytetar të parë njërin nga bijtë tuaj, intelektualët, mësuesin e fëmijëve tuaj, demokratin e përkushtuar, zyrtarin e ndershëm, Premtim Kryemadhin, i cili mishëron krenarisht virtytet tuaja, shpirtin tuaj punëtor, ndershmërinë dhe dashurinë e pakufijshme për Dibrën dhe vendin”, tha ish-kryeministri në fjalën e tij.
“Në këto zgjedhje përballja është e madhe. Me të vërtetë përballet e shkuara, përballet shteti i bazuar në mafie dhe drogë, përballet narko-shteti që s’njeh dhe s’respekton votën. Përballet arroganca e një njeriu që ka trashëguar psikologjinë më të keqe të etërve të tij”, u shpreh Berisha.