Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim në Maqellarë të Dibrës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

 Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se zgjedhjet e 6 marsit kanë një rëndësi të madhe dhe se janë një provë për opozitën e vërtetë. Berisha iu kërkoi demokratëve të votojnë kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, Premtim Kryemadhi.

 Zgjedhjet e 6 marsit janë një provë e madhe jo vetëm për kryebashkiakët që do zgjidhen, por janë një provë e madhe për opozitën e vërtetë shqiptare në tërësi. Ato mbartin mesazhin e fillimit të një ndryshimi të madh. Ato mbartin në vete, farën e shpresës për të cilën ka sot nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, familja shqiptare, të rinjtë shqiptarë.

 Ne jemi në këto vite, një shoqëri në shpërbërje, vite në të cilat të rinjtë dhe fëmijët largohen nga familjet. Lënë prindërit vetëm dhe vetë marrin rrugë pa ditur se cila do jetë e ardhmja e tyre.

 E gjitha kjo jo se Maqellara, Dibra dhe Shqipëria nuk kanë pasuri, nuk kanë potenciale për të begatuar, për të punësuar, për të garantuar të ardhmen e të rinjve dhe fëmijëve të tyre, por sepse ndiqen politika të cilat janë absolutisht të ngjashme me platformën e Vaso Çubrilloviçit në Kosovë ndaj shqiptarëve.

Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për aferën e 430 milionë eurove të inceneratorëve. Deri më sot asnjëri prej tyre nuk është në funksion. Më tej, lideri historik i PD theksoi se me këto para do të ishin përfunduar të gjitha kanalet në Shqipëri.

Keni dy muaj që dëgjoni për çështjen e djegësave. 430 milionë euro janë dhënë për 3 inceneratorë, sot asnjëri funksionon. Vetëm njëri në Elbasan është ndërtuar, por dhe ai është jashtë pune. Me thasë kanë vjedhur. Askush s’mund ti prekë pa firmën e kryeministrit. Ai ka kompetencat.

Kanë krijuar një komision, njëherë merret SPAK-u, s’kati, për t’i vënë kapak. N.q.s. e mbyllën para 1 muaji, u detyruan ta hapnin prapë kur i denoncova në parlament. Thjeshtë për luftë të brendshme midis njëri-tjetrit. U ndala te kjo aferë nga më të mëdhatë në 30 vite.

N.q.s. do kishte investuar 430 milionë dollarë në kanale vaditëse nga Tropoja në Konispol do ishin meremetuar e përfunduar nga e para. Ato para duheshin përvetësuar dhe nuk kishte pse tu jepeshin fermerëve. Paguani 3 herë më shtrenjtë për plehrat kimike. Po kthehesha nga Myzeqeja, dramë, po therin lopët e racës. Dengu u barit është rritur, qumështi ka rënë.