Në një bashkëbisedim me qytetarë të Dibrës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po tenton të zhdukë këtë krahinë me projektin e Enver Hoxhës. Berisha u bëri thirrje të gjithë dibranëve pa dallim partiak ti dalin për zot Dibrës teksa një apel pati dhe për kompaninë amerikane, duke i i kërkuar të tërhiqet nga projekti pasi siç tha ai Rama po e mashtron.


Berisha: Dibra ka një rrezik tjetër, të cilin dua ta diskutoj me ju dhe e diskutoj me ndjenjat më miqësore. Dibra ka rrezikun real të zhdukjes nga diga e Skavicës. Unë dua t’u rrëfej të vërtetën. Në vitin 2005 u zgjodha kryeministër. Më vjen një kompani italiane, njëshi i ndërtimeve të HEC-ve në Itali, nga më seriozet. Më thonë, zoti kryeministër ne kemi kontratën të firmosur me Fatos Nanon për të ndërtuar HEC-in e Skavicës.

I them, kontratën e ke, por unë me shumë keqardhje asaj kontrate nuk mund t’i qëndroj kurrë. Më thotë, pse? I them zotëri, ishte burrë fisnik, po të shkosh atje në atë rreth, do të bindesh se ajo nuk mund të ndodhë, s’mund të ndërtohet. Më dëgjoi. Por ai u kthye pas 1 muaji, erdhi me grupin financiar. Kishe të drejtë, tha, nuk përmbytej ajo zonë.

Të ngrihesh sot me mendjen e Enver Hoxhës, i cili ishte ai që ishte dhe që kishte vendosur të merrte 40 fshatrat e luginës së Drinit dhe ti çonte në Hoxharë por si doli toka tamam dhe të thuash se po ndërtoj dhe po përmbyt. Për Dibrën edhe për Shqipërinë hyn në histori një nga kriminelët më të mëdhenj të historisë, nuk mund ta bësh atë kurrë. Mirë Enver Hoxha por si ka mundësi ti Edi Rama të ndjekësh pikë për pikë projektin e tij. Si ka mundësi të firmosësh për të përmbysur mbi 600 hektarë tokë buke për të shpërngulur 37 apo 40 fshatra.

Nuk mund të zhduket Dibra. Dibrën nuk e zhdukën dot pushtuesit më të egër që e lakmuan aq shumë, vjen tani Edi Rama dhe do ta zhdukë me një projekt të Enver Hoxhës. Këtu është thirrja ime për socialistët dibranë, thirrja ime për çdo dibran, për çdo shqiptar: Të shpëtojmë Dibrën!

Dibra është në një rrezik të atillë që nuk ka qenë kurrë më shumë. Kanë hyrë e kanë dalë ushtri por kanë lënë kockat e ushtarëve të tyre ata kurse ky do ti zhdukë këto. Një thirrje vëllazërore për të gjithë dibranët: Të mbrojmë sot ekzistencën e Dibrës! Nëse 30-40 fshatra të saj përmbyten. Dibra do të jetë me kalimin e kohës thjesht një emër në librat e historisë.

I bëj thirrje edhe kompanisë Bechtel, i them se mbetem mirënjohës përjetë për rrugën e Kombit, por i kërkoj të rishqyrtojë dhe të tërhiqet nga projekti, ky është një projekt absolutisht çnjerëzor në rrafshin social, është një projekt anti-kombëtar. Mos u mashtro nga Edi Rama se do bëjmë gjithçka për të mbrojtur Dibrën, të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e saj.