Fundjava që lam pas është shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe breshër në disa zona të Matit, duke shkaktuar dëme të mëdha edhe në bujqësi. Pothuajse të gjitha të mbjellat në fshatin “Drita” në Njësinë Administrative Baz në Bashkinë e Matit u dëmtuan totalisht nga reshjet e mëdha të breshërit të rëna në fundjavë. Një prej banorëve të dëmtuar është edhe Hasan Neli. Ai tregon se para 50 vitesh është parë një stuhi e ngjashme me të fundjavës në fshatin e tij. Dëmi i shkaktuar është kolosal pasi breshëri ka dëmtuar, misrin e çdo të mbjellë tjetër. Hasani thotë se familja e tij prej 7 anëtarësh mbahej me këtyo të mbjella, ndërsa tashmë duhet t’i presë pasi nuk janë për prodhim. Jo vetëm zarzavatet dhe perimet janë dëmtuar nga stuhia e breshërit, por edhe hardhia e çdo pemë tjetër frutore. Hasan Neli kërkon ndihmën e shtetit, megjithëse ai e pranon që të mbjellat nuk i ka pas siguruar. Dëme të njëjta kanë pësuar edhe banorët e tjerë të këtij fshati ku dhe ka qenë përqendrimi më i madh i stuhisë së breshërit.