LIBRI I 17-të I AUTORIT NË 70-VJETORIN E JETËS SË TIJ
Poeti matjan Basir Bushkashi, tashmë një penë e afirmuar në sferën e letërsisë shqipe, në prag të 70-vjetorit të tij vjen para lexuesve me vëllimin të ri poetik, “S’më pyesin vitet…”.
Pena bushkashiane në këtë libër të ri me poezi dhe të 17-tin në krijimtarinë e tij, vjen si një obrellë e purpurtë dhe fine e krijimtarisë letrare të deritashme. Poezia e Bushkashit vijon të jetë në linjën e poezive të tij origjinale, mesazhpërcjellëse, e ndërtuar bukur artistikisht, e që din të rrëmbejë zemrat e mendjet e lexuesve të një shkalle të gjerë. Bushkashi nuk resht së shkruari për vendlindjen, nënën, si dhe për personalitete të tilla si Çajupi, Agolli, Spase, Skënder Tuna, Hysni Milloshi, Alfred Çapaliku, Feride Kurti, Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, por vargje brilante u kushton edhe qytetarëve të nderuar Lekë Lalaj, Shpëtim Marqeshi, duke përfaqësuar pse jo Matin dhe matjanët në këtë mision përjetësues të jetës dhe kontributit të tyre vital. Edhe vëllimin të ri poetik, “S’më pyesin vitet…” 70-vjeçari Basir Bushkashi vijon të kontribuojë me pasurimin e gjuhës shqipe me neologjizma, një vlerë tjetër e shtuar e krijimtarisë së tij letrare.
Ashtu si dhe për një sërë librash të fundëm edhe për librin e ri, “S’më pyesin vitet…” vijojnë të kontribuojnë një trio e pandashme për kurimin botimeve letrare të Bushkashit; redaktori Kujtim Stana, recensenti Gegë Tusha, dhe Kopertina Agron Sejamini. Gazetar: Fatmir Neli