Bashkitë që janë nën drejtimin e opozitës kanë vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se asnjë vendim i paligjshëm i këtij Komisioni nuk do t’i pengojë ata të marrin nën administrim ambientet në pronësinë e tyre. Keto bashki i kanë dërguar të njëjtën shkresë njëkohësisht KQZ-së, ku vihet në dukje se i vetmi vendim për zgjedhjet, me fuqi ligjore, është dekreti i presidentit, që ka shfuqizuar datën 30 Qershor.
“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet, ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën.”
Gjithashtu, keto bashki njoftojnë se në datat 27 Qershor 2019 – 2 Korrik 2019, ambientet që ishin vënë në dispozicion të KZAZ-ve dhe GNV do të jenë në funksion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme.
Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, kryebashkiakët njoftojnë KQZ-në se kanë shfuqizuar aktet me të cilat kanë dërguar listën e zgjedhësve pranë KZAZ-ve, si dhe aktet për vendet e qendrave të votimit në bashkitë e tyre, ku nuk do të lejohet vendosja e asnjë material zgjedhor, si dhe aktet e propozimit për qendrat e votimit në ambjentet private.
“Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me material, që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjesimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të qytetarëve”.
Ata shprehen se KQZ po vepron në paligjshmëri, kur i referon bashkitë të zbatojnë rezolutën e Parlamentit, një akt me natyrë jo detyruese, dhe jo dekretin e Presidentit, akt me natyrë detyruese dhe i vetmi në fuqi në lidhje me zgjedhjet.
Kryebashkiakët akuzojnë anëtaret e KQZ se po cënojnë rëndë autonominë vendore dhe kompetencat kushtetuese të njësive të qeverisjes vendore. Gjithashtu jane shprehur se duke mos zbatuar dekretin e Presidentit, gjë për të cilën do të mbajnë përgjegjësi personale, anëtarët e zgjedhur nga PS, e kanë shndërruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Komisionin e Garancive Statutore të Partisë Socialiste.