Banorët e Njësisë Administrative Derjan u njohën me projektin paraprak të buxhetit të vitit 2021 dhe atë të paketës fiskale të hartuar nga specialistët e Bashkisë së Matit. Në dëgjesën publike të zhvilluar me këta banorë, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i shoqëruar edhe nga stafi i tij tregoi prioritetet që ka bashkia për vitin e ardhshëm që pritet të realizohen me buxhetin e saj. Malaj tha se në vëmendje do të jenë rrugët e kësaj Njësie Administrative, si ato ekzistueset për rehabilitim, ashtu edhe ato të rejat që do të hapen nëpër lagje apo banesa ku nuk kanë patur deri tani.
Banorët dhe kryetarët e fshatrave ngritën shqetësimet e komunitetit që lidhen me shërbimet ndaj tyre siç është uji i pijshëm dhe ai vaditës. Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Malaj tha se këto janë prioritete të bashkisë dhe ka nisur puna me projekte për zgjidhjen e tyre. Gjithashtu ai shtoi se një tjetër planifikim për këtë njësi është edhe rikonstruksioni i qendrës së njësisë dhe rikthimi i pazarit tradicional.

Ndalesa e radhës për dëgjesat publike dhe konsultimet në kuadër të hartimit të paketës fiskale e projekt-buxhetit të vitit 2021, ishte Macukulli. Në këtë njësi administrative Malaj deklaroi se në buxhetin e vitit të ardhshëm, shërbimet do të vazhdojnë në infrastrukturën rrugore , ujin e pijshëm ku përfshihen në ujësjellësin e ri disa fshatra të kësaj njësie administrative.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryebashkiaku Agron Malaj u shpreh se me gjithëse është punuar fort në mirëmbajtje të rrugëve, nuk është i kënaqur ndaj do të shkohet drejt asfaltimit të tyre, ku e para në fshatin Macukull do të jetë rruga kryesore, por edhe me rivendosjen në funksion të ish bazës së asfaltimit në Burrel, gradualisht të asfaltohen edhe rrugët e fshatrave.