Bashkia e Matit ka vazhduar traditën e vlerësimit të nxënësve ekselentë të arsimit 9-vjeçar në shkollat që ka nën juridiksionin e saj. Në prag të festave të fundvitit, këtë të premte u vlerësuan nxënësit me arritje shumë të mira të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Burrelit, duke u dhuruar pako nga Bashkia Matit. Në aktivitetin e organizuar, u bë ndarja e këtyre dhuaratave ku të pranishëm ishin drejtues të pushtetit vendor, arsimtarë, prindër etj. Fillimisht të pranishmit ndoqën një minikoncert nga nxënësit që frekuentojnë Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat.

  Më pas, nisi edhe ndarja e dhuratave për fëmijët. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë afër arsimit, si dhe në mbështetje të nxënësve me arritje të larta.

  Një përshëndetje për nxënësit e mësuesit erdhi në këtë takim edhe nga përfaqësuesi i Zyrës Vendore Arsimore Mat, Naim Sadiku.

Ndërsa drejtoresha Ekzekutive e “Vizion” OJF, Suela Koçibellinj shpërndau një sërë dhuratash për fëmijët me aftësi ndryshe në Bashkinë e Matit.

Ndërkohë edhe për nxënësit ekselentë të shkollave të njësive administrative janë dhënë pako dhuratë nga Bashkia Mat.