Bashkia e Matit ka nisur këtë të premte dëgjesat publike me banorët në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit të vitit 2020. Dëgjesa e parë u zhvillua në Njësinë Administrative Komsi ku morën pjesë drejtuesit e fshatrave të kësaj njësie si dhe banorë të zonës.
Në këtë dëgjesë ishte i pranishëm vetë kryebashkiaku i Matit Agron Malaj bashkë me stafin drejtues të cilët asistuan për tu njohur me të gjitha problematikat që ka kjo njësi. Në fjalën e tij, Malaj tha se qëllimi është evidentimi i të gjitha problemeve dhe përfshirja e tyre në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, kryetarët e fshatrave dhe banorët e pranishëm ngritën të gjithë problematikën me të cilën po përballet komuniteti i tyre. Ata kërkuan nga drejtuesit e Bashkisë Mat që problemet më kryesore të kenë prioritet për zgjidhje vitin e ardhshëm, si infrastruktura rrugore, kanalet vaditëse dhe uji i pijshëm. Dëgjesa u ndoq edhe nga nënprefekti i Matit Hasan Pasha.