Njësia administrative Xibër në Bashkinë e Klosit është ndër të paktat njësi jo vetëm në Mat por në gjithë Qarkun Dibër, që nuk ka asnjë metër rrugë të asafaltuar. Për këtë arsye 3500 banorë të kësaj njësie historikisht janë përballur me gjendjen e vështirë të transportit. Por tashmë me ndërtimin e rrugës së Arbrit, ata shpresojnë që të zgjidhin përfundimisht këtë problem. Mat Televizion ndoqi nga afër disa nga veprat në të cilat po punohet. Këto janë dy tunelet në fshatin Shkallë të Njësisë Xibër, ku njëri prej tyre ka përfunduar dhe tjetri që të dërgon pranë urës së fshatit Fshat, është drejt fundit.
Me të njëjtin ritëm po punohet edhe për ndërtimin e urës mbi urën e Vashës. Ndërtimi i saj pritet të përfundojë brenda pak muajve.
Puna intensive që po bëhet në të gjithë lotin e papërfunduar i ka bërë optimist banorët, të cilët shprehen se e gjithë zona do të marrë zhvillim të madh ekonomik.
Prej disa ditësh ka nisur puna edhe në fshatin Xibër Murrize për hapjen e tunelit 1, mjetet e firmës zbatuese të projektit vijojnë intensivisht punën për hapjen e sheshit në dalje të tunelit. Edhe banorët e këtij fshati presin me padurim përfundimin e punimeve dhe ndërtimin e rrugës, pasi vetëm në këtë mënyrë do të zhvillohet zona.
Rruga e Arbrit pritet të përfundojë brenda 44 muajve nga nisja e punimeve.