Banorët e pallatit të dëmtuar në Bulqizë: po na mashtrojnë prej 7 vitesh, askush nuk jep përgjigje
Familjet që janë larguar nga pallati i dëmtuar nga tërmeti i 2019-tës në Lagjen e Re të Bulqizës deklarojnë se prej 7 vitesh janë lënë në mëshirë të fatit. Banorët i ka shpërngulur pushteti vendor duke ju prerë ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike, dhe aktualisht jetojnë në mënyra të ndryshme me qera dhe trajtohen me bonusin e qerasë, por kjo sipas banorëve nuk është zgjidhje. Qazim Topi thotë se gjithë këtyre viteve janë përplasur në dyert e institucioneve por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje të qëndrueshme. Qazimi tregon se për këtë kanë takuar edhe 3 drejtuesit politikë të PS në Qarkun Dibër, por as ata nuk kanë dhënë zgjidhje. Banorët e kanë të pamundur të rikthehen për të jetuar në pallatin e dëmtuar nga tërmeti, ndërsa hyrja e këtij pallati është kthyer në strehë për lopët që duan t’i ikin vapës. Janë 13 familje që kanë mbetur në mëshirë të fatit pasi më parë jetonin në këtë pallat. Ata janë në pritje prej 7 vitesh, ndërsa ende nuk e dinë çfarë do të bëhet me ta.