Banorët e fshatit Gërman e Kodër Çerre në Njësinë Administrative Komsi zhvilluan të premten një takim me Administratorin e Hidrocentralit numër dy të ndërtuar në zallin e Gërmanit, në prani të administratorit të Njësisë Administrative dhe përfaqësuesve të bujqësisë dhe ujërave pranë Bashkisë Mat.
Kërkesa e përfaqësisë së banorëve të Gërmanit ishte ndërtimi i veprës së marrjes së kanalit vaditës të fshatit të tyre aty ku ka qenë.
Pas shumë diskutimeve administratori i Hidrocentralit, Robert Lala ka rënë dakord me banorët për të bërë veprën e marrjes aty ku ka qenë para se të ndërtohej diga e HEC-it.
Pretendimi i banorëve ishte se që prej ndërtimit të HEC-it 2 mbi zallin e Gërmanit, sasia e ujit që ata merrnin për vaditje ishte e pamjaftueshme pasi vepra e marrjes ishtë bërë tek diga e HEC-it.
Të gjendur në këtë situatë ata i kanë kërkuar vazhdimisht kompanisë rikthimin e veprës së marrjes për kanalin vaditës, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga strukturat vendore.
Për sezonin e ardhshëm vaditës, administratori Lala, u angazhua për zgjidhjen e kësaj problematike.