Banorët e një pjese të madhe të fshatit Dars, në Bashkinë e Klosit, janë në pritje të pushtetit vendor të vendosë tombinot, të cilat janë lënë aty prej afro një viti.

Janë dy tombino të cilat do të zgjidhnin përfundimisht problemin e banorëve të disa lagjeve të Darsit, pasi përroi aty pranë ka prurje shumë të mëdha dhe të rrezikshme gjatë ditëve me shi apo gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Jashtë kameras, banorët u shprehën se vazhdimisht kanë kërkuar vendosjen e tombinove, por deri tani janë mbajtur vetëm me premtime të parealizuara.

Dy tombinot, që ndodhen aktualisht pranë këtij përroi, janë sjellë një vit më parë pranë përroit, por nuk janë vendosur aty ku duhet dhe gjendja vijon të mbetet e njëjtë sidomos kur ka prurje të mëdha uji.

Situatë problematike bëhet për të moshuarit dhe fëmijët, që duhet të shoqërohen nga persona të tjerë për të kaluar këtë përrua, i cili ndodhet në rrugën e vetme lidhëse me qytetin e Klosit. Fshati Dars ndodhet shumë pranë qytetit të Klosit, ndërsa banorët apelojnë që pushteti vendor, punën e nisur një vit më parë, ta përfundojë sa më shpejt