Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar të martën nisjen e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e segmentit rrugor Maqellarë-Peshkopi, pjesë e Rrugës së Arbërit. Projekti është 8.4 kilometra, rreth 2.4 km më i shkurtër se rruga ekzistuese. Zëvendëskryeministrja Balluku tha se vazhdimi i rrugës së Arbrit, është një vepër e rëndësishme, një vepër që pritet nga të gjithë dibranët, por edhe nga të gjithë vizitorët, të cilët kanë qenë të shumtë këtë vit. Nga 11 kilometra që lidhet sot Maqellara me Peshkopinë, projekti shkon në 8.54, pra 2.4 kilometra më pak, duke lënë mënjëanë kthesat, të gjitha pikat e errëta. Investimi do të përmirësojë cilësinë dhe standardet e rrugës, që është e kategorisë C2.
Ndërsa kryebashkiaku i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu tha se punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Maqellarë-Peshkopi shkurtojnë distancën, por mbi të gjitha kanë eliminuar një pjesë të rrugës që ishte shumë e vështirë dhe me kthesa.
Gjatë këtij inspektimi Balluku informoi se punimet po vijojnë me ritme të përshpejtuara edhe në dy tunelet e rrugës së Arbit, që do t’i japin akses të plotë përdorimit të gjithë Rrugës së Arbit.