Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte këtë të enjte në Dibër, ku gjatë takimit me strukturat drejtuese të Policisë Vendore në Dibër deklaroi se parandalimi dhe goditja e ashpër e fenomenit të dhunës në familje do të jetë prioritet në detyrën e tij.

Çdo ditë në këtë detyrë do të bëj çmosin që Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, të ngrihet në nivelin e pritshmërisë shoqërore të një vendi europian, për goditjen kirurgjikale deri në çrrënjosje të dhunës në familje, ku gratë bien viktimë e barbarisë së burrave. Çdo grua, çdo vajzë duhet të fitojë besimin absolut se telefonata apo denoncimi i saj për ndihmë tek Policia e Shtetit është hapi i duhur jetik, për çlirimin nga makthi përpara se sa të jetë shumë vonë dhe për fitoren mbi padrejtësinë ekstreme të dhunës”,- theksoi Balla. 

Më tej ai shtoi se Policia dhe jo vetëm, duhet të ndryshojë mënyrën e reagimit ndaj këtij fenomeni që mbetet shqetësues.

Një qasje e re pro-aktive në luftën me këtë fenomen të huaj për kohën, vendin dhe Europën ku jetojmë, do të jetë prioritet absolut në punën tonë të përditshme për qytetarët dhe me qytetarët”, – apeloi ministri i Brendshëm.

Gjatë diskutimit me strukturat vendore në Dibër, Balla tha se fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike gjithashtu duhet goditur ashpër, pasi ky lloj krimi shkatërron të ardhmen e vendit. Më tej, ai u ndal mbi disa problematika të tjera, siç janë krimet mjedisore, për të cilat tha se duhen trajtuar me shumë prioritet, që nga prerja e pyjeve, shfrytëzimi minerar, si dhe një qasje më e ashpër ndaj armëmbajtjes pa leje. 

Gjatë vizitës në Dibër, ministri i Brendshëm Taulant Balla inspektoi edhe punimet për ndërtimin e godinës së re të Policisë në këtë qark, të cilat janë në fazën përfundimtare.