Ekonomia pyjore e malit të Balgjajt ndër më të mirat në Mat, po kërcënohet vazhdimisht nga flakët të cilat vijnë nga zjarri i rënë në fshatin Kacni të Selishtës së Dibrës prej ditësh.
Megjithëse punonjësit e shërbimit pyjor, ato të zjarrfikëses dhe mirëmbajtjes pranë Bashkisë Klos, kanë ndërhyrë disa herë, vatra e zjarrit në anën e Dibrës riaktivizohet, duke prekur ekonominë pyjore të Balgjajt.
Edhe një ditë më parë u riaktivizua zjarri në vendin e quajtur “Fusha e Thatë”, ndonëse ishte fikur pak kohë më parë. Përgjegjësi i Zyrës së Emergjencave Civile pranë Bashkisë Klos, Nerim Dema tha se po punohet për të ndërprerë përfundimisht riaktivizimin e kësaj vatre zjarri e cila kërcënon dhe dëmton ekonominë pyjore të Balgjajt.
Po ashtu, një tjetër vatër zjarri është ndezur në masivin pyjor të Xibrit në vendin e quajtur “Skarredh”, por që është bërë e mundur shuarja përfundimtare e flakëve.
Punonjësit e Bashkisë së Dibrës po tentojnë të vendosin nën kontroll të plotë vatrën e zjarrit të Kacnisë, e cila mbrëmjen e djeshme është riaktivizuar në 3 pika të ndryshme duke e bërë të vështirë shuarjen përfundimtare për shkak edhe të terrenit të thyer malor.