Vatrat e zjarrit në malin e Balgjajt në Bashkinë Klos dhe në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali Dejës”, në fshatin Gurë-Lurë, të Dibrës, vijon të zgjerohet duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje e kullota.
Nisur nga situata e rëndë në Balgjaj, pasditen e së hënës në ndihmë të forcave tokësore ka shkuar edhe helikopteri “Jaguar” i ministrisë së Mbrojtjes. Për shkak të sipërfaqes së madhe të zjarrit e cila është përhapur në të gjitha drejtimet, ka qenë e pamundur që flakët të fiken për një kohë të shkurtër ndërsa vatra ka vijuar të jetë e aktivizuar edhe gjatë natës. Ndërkohë pritet që helikopteri të shkojë edhe gjatë ditës së sotme, ku furnizohet me ujë në liqenin e fshatit Kurdari, megjithëse në Balgjaj ndodhen 5 liqene akullnajore me ujë.
Edhe në Dibër vijojnë zjarret në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali Dejës”, në fshatin Gurë-Lurë. Aktualisht janë dy vatra zjarri aktive, njëra në kullote, zjarr përshkues sipërfaqësor ku ka mbetje të vjetra brenda territorit në vendin e quajtur “Perroi i Qeseve”. Vatra tjetër e zjarrit është në pyll me Ah në vendin e quajtur “Plehenaj”, Ekonomia Pyjore Lura 1, ngastra 65 është shumë aktive dhe po përparon shumë shpejt drejt objektit të pyllëzuar, ndihmuar nga temperaturat e larta, era e fortë si dhe mbetjet e thata të grumbulluara ndër vite. Është e pothuajse e pamundur fikja e këtij zjarri me forca nga toka prandaj kërkohet ndërhyrje nga ajri. Për fikjen e zjarrit po punojnë 8 efektiv zjarrfikës, 8 punonjës të A.D.Z.M, 6 punonjës të Njësisë Administrative Lurë. 7 vullnetar si dhe 7 punonjës të Drejtorisë Bujqësisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Dibër.