Më shumë se 200 banorë të fshatit Shkopet rrezikojnë jetën çdo ditë teksa kalojnë mbi këtë urë për të dalë në rrugën nacionale. Pak javë më parë ura u dëmtua si pasojë e tejfryrjes së lumit Mat, duke e thyer atë në mes. Ndonëse ura në fjalë është krejt metalike, prurjet e lumit e dëmtuan duke e ndarë në dy pjesë. Forma aktuale e urës është falë kavove që e mbajnë nga lart, pasi shtresa është e shkëputur në mes.
Jashtë kameras banorët e zonës shprehen se askush nuk ka shkuar për të ndërhyrë, megjithëse sipas tyre nuk ka shumë punë për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme. Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor që të ndërhyjnë sa më parë, sa ende nuk është shkaktuar ndonjë tragjedi. Më problem kalimi në këtë urë është gjatë orëve të natës, pasi rreziku për të rënë nga ura është shumë i madh.