Nata e ndërrimit të viteve ka kaluar pa asnjë incident në të katër bashkitë e Qarkut Dibër. Qytetarët e Burrelit e pritën ndërrimin e viteve në sheshin “Kastriotët” ku shijuan hedhjen e fishekzjarreve teksa ora shënoi 00:00.

Ndërkohë nga lëndët piroteknike nuk është shënuar asnjë incident sipas burimeve pranë policisë. Po ashtu mësohet se edhe në urgjencat e spitaleve nuk ka patur të paraqitur qytetar të dëmtuar nga përdorimi i lëndëve piroteknike. Burime pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër thanë se nuk ka patur raportime për incidente me lëndë  plasëse apo të tilla me armë zjarri gjatë festimeve të ardhjes së vitit të ri 2025.

Përfundimi i festimeve për ndërrimin e viteve ka sjellë normalitet edhe në qarkullimin e automjeteve.

Qytetarët duket se i janë rikthyer përditshmërisë teksa po shijojnë edhe pak ditë pushimi për t’ju rikthyer punëve të hënën e ardhshme.