Asgjësohen 300 bimë narkotike në Dibër, një në pranga
Policia e Dibrës ka arritur të godasë një rast të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e Bashkisë Dibër. Uniformat blu të mbështetura nga Forcat e Posaçme "Shqiponja", bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas nga Tirana, i cili kultivonte bimë narkotike në fshatin Guri i Zi dhe i ruante ato i armatosur, kanë organizuar punën për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Guri i Zi, Bashkia Dibër, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Lulzim Marku, 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap me armë zjarri (pushkë), në ambientin ku kishte kultivuar 300 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Arma e zjarrit së bashku me 6 fishekë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të bimëve të dyshuara narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. Sh., me detyrë kryetar i fshatit Guri i Zi, i dyshuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Operacioni antikanabis po zhvillohet në të gjithë territorin e Qarkut Dibër, ku po bëhen kontrolle nga toka dhe nga ajri me pajisje dron.